Bizneset kërkojnë shtyrje automatike të lejeve e licencave
“Të ketë listë të saktë për llojet e aktiviteteve që bllokohen”
Sipërmarrjet kërkojnë që qeveria të miratojë një paketë me masa proceduriale për të siguruar vazhdimin e aktivitetit prodhues.
Në një deklaratë për shtyp, Bashkimi Shqiptar i Prodhuesve sqaron se ekzekutivi duhet të miratojë një listë të saktë të llojit të biznesit që i ndalohet aktiviteti, ndërsa theksojnë se është i domosdoshëm hartimi i procedurave se si do të kryhen importet dhe eksportet në këtë situatë.
“Të miratohet një listë për sipërmarrjet që do t’i ndalohet ushtrimi i aktivitetit, procedurat e sakta dhe dokumentacioni përkatës për akreditimin e mjeteve të transportit dhe personelit të sipërmarrjeve që do të vijojnë aktivitetin”.
Edhe Dhoma Italiane e Tregtisë kërkon marrjen e masave për shpëtimin e ekonomisë dhe biznesit në situatën e masave të marra kundër përhapjes së COVID-19.
“Të shtyhet automatikisht vlefshëmëria e çertefikatave/autorizimeve dhe lejeve të ndryshme që disponojnë bizneset për të paktën dy deri tre muaj, përfshirë këtu dhe leje doganore, mjedisore etj. si pasojë e mbylljes së zyrave publike”.
Të gjitha grupet e biznesit i kërkojnë qeverisë edhe marrjen e masave ekonomike për lehtësimin e biznesit.
Dhoma Italiane insiston edhe në shtyrjen apo eleminimin edhe të disa taksave e tarifave vendore, ndërsa ata janë bashkë me shoqatat e tjera në pezullimin e taksave për disa muaj në këto kushte si dhe trajtimin financiar të punonjësve të kompanive që janë të bllokuara.
Tv Klan