Biznesi i materialeve të ndërtimit buzë rrugës – (18 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Të shesësh buzë rruge, ky është biznesi që ecën më shumë. Tregtarët e materiale ndërtimit, kanë zgjedhur fillimin e autostradës, në hyrje të Tiranës, për tregtimin e mallit të tyre. Këto materiale kanë zënë një korsi të kalimit në autostradë. Nëse nuk e ke mendjen të devijosh rrugën, ka mundësi të përplasesh me një thes me çimento, apo mund ta gjesh veten në një gropë me rërë.
Gjerësia e autostradës me dy kalime është 15 metra, por këtë hapësirë duket se e ka pasur vetëm në fillimet e saj, pasi më vonë tregtia lulëzoi deri në mes të saj. Sipas policisë rrugore, ky aks mbetet më problematiku për qarkullimin dhe aksidentet. Vargut të makinave që zhdoganohen pranë Doganës, i shtohen edhe këto që presin të ngarkohen me materiale ndërtimi. Edhe pse kodi rrugor dënon me gjobë ata që ushtrojnë aktivitetin buzë rrugëve nacionale, sërish materialet e tyre kanë zënë një pjesë të autostradës./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti