“Biznesi kërkoi vetë – shtyrjen e ligjit për TVSH-në në turizëm”
Dy muaj pasi është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, ligji për uljen e TVSH-së në turizëm ende nuk ka hyrë në fuqi.
Biznesi kritikoi një javë më parë Ministrinë e Financave që ka vonuar firmosjen e akteve nënligjore, por këtë radhë është ky institucion që bën përgjegjëse shoqatat e sipërmarrësve për shtyrjen e ligjit.
Në një deklaratë për mediat, ministria e Financave thotë se organizatat e biznesit kanë kërkuar vetë të njihen me aktet nënligjore dhe të konsultohen me to përpara se të firmosen nga ministrja Helga Vukaj.
Financat i kërkojnë bizneseve që të japin sa më parë vlerësimet për aktet në mënyrë që të bëjnë të zbatueshëm ligjin brenda këtij sezoni turistik. Me ligjin e ri Shqipëria është vendi i dytë në rajon që ka TVSH-në më të ulët, nga 20 që ishte më parë në 6%.
Ligji u premtua të miratohej vite më parë, por për shkak të kundërshtimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria e miratoi atë pas përfundimit të marrëveshjes. Impakti negativ që do të ketë buxheti i shtetit nga ky ligj llogaritet 10 milionë dollarë.
/Tv Klan