Bjellorusia luan futboll
Bakaj: Gjërat janë si më përpara
Bjellorusia mbetet i vetmi vend në Europë që po luan futboll. Qeveria dhe federata vendosën që kampionati të zhvillohet rregullisht dhe me praninë e publikut.
Rastet e të infektuarve në këtë vend janë 69 sipas të dhënave zyrtare, ndërsa nuk ka asnjë viktimë. Elis Bakaj, i cili është pjesë e Dinamo Brest tregon për TV Klan se si po kalohet kjo situatë në këtë vend.
“Këtu nuk është se ndjehet shumë si në vendet e tjera problemi i koronavirusit, sepse edhe rastet nuk janë të shumta. Çdo gjë është si më përpara, çdo biznes çdo lokal, njerëzit shkojmë rregullisht në punë, në stërvitemi rregullisht nuk kemi probleme, jo më kot filloi kampionati”, tha ai.
Zyrtarë të Federatës Bjelloruse të Futbollit thanë se vendimi u mor pas konsultimit me UEFA-n. Elis Bakaj gjithsesi jep mesazhin e tij për këtë situatë që po kalon e gjithë bota.
“Normalisht jam i shqetësuar, pasi kam të afërm në Shqipëri dhe Rumani kështu që shpresoj që të gjithë të zbatojnë rregullat që duhet dhe vetëm në këtë mënyrë mund ta kalojmë këtë situatë”, tha Bakaj.
Koronavirusi është përhapur me shpejtësi në të gjithë botën dhe për këtë arsye sporti aktivitet sportive, po pezullohen njëri pas tjetrit.
Tv Klan