Bletët në rrezik prej ndryshimeve klimatike
Ndryshimet klimatike kanë shkaktuar humbje të mëdha të bletëve në të gjitha kontinentet. Sipas një analize të re, numri i bletëve në Europë dhe Amerikën e Veriut ka rënë me një të tretën që nga viti 1970.
Temperaturat në rritje do të shkaktojnë uljen në mënyrë drastike të bletëve. Ato janë një nga faktorët kyç të pllenimit të frutave, perimeve dhe bimëve të egra. Pa to shumë bimë thahen, duke reduktuar në këtë mënyrë edhe ushqimet për njerëzit.
Sipas ekspertëve, popullatat e bletëve po lëvizin drejt veriut të Europës dhe Amerikës së Veriut, ashtu siç pritet për shkak të ndryshimeve të klimës.
“Kjo ishte hera e parë që kemi qenë në gjendje të lidhim zhdukjen lokale dhe lëvizjen e bletëve për shkak të ndryshimeve klimatike”, ka deklaruar Tim Newbold nga Universiteti College London.
Ulja e popullatës së bletëve, një ndër pllenuesit kryesorë të bimëve, është më e rëndë sesa mendohej.
Ato janë zhdukur më së shumti në rajonet jugore të Spanjës dhe Meksikës për shkak të rritjes së temperaturave. Ndërkohë popullatat e bletëve janë zhvendosur në rajone veriore, por kjo nuk ka kompensuar humbjet.
Ka rreth 250 lloje bletësh në të gjithë botën. Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës ulja e numrit të bletëve është dokumentuar në Europë, Amerikën e Veriut dhe të Jugut e Azi. Ato shkaktohen nga humbja e habitateve, sëmundjet dhe përdorimi i pesticideve./tvklan.al