Bllok kultura, Teatri Kombëtar, Albafilm, Ekspozitë – (16 Shkurt 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Hapet Teatri Kombëtar. Kasëm Trebeshina, shkrimtari i njohur shqiptar, ka shansin të hapë siparin e mbylljes prej mëse 6 muajsh të Teatrit Kombëtar me dramën “Muzeu”. Vendimi i kthimit të aktorëve në skenë u morë një javë më parë unanimisht nga sindikata e aktorëve, por që u vulos zyrtarisht vetëm dje nga drejtori Xhevdet Ferri. Aktorët kanë 6 muaj që protestojnë për mos mbylljen e teatrit nga ministria e Kulturës.
Aktorët dhe sindikata e tyre nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e paraqitura. Sot një peticion kundër Ministrit të Kulturës Edi Rama i është dërguar presidentit dhe kryeministrit shqiptar. Sipas aktorëve mbi 60% e kërkesave janë plotësuar. Të shtunën merr fund odiseja e konfliktit Teatër-Ministri Kulture.
“Albafilm Studio” vazhdon të ketë probleme, jo vetëm për situatën në të cilën ndodhet, por edhe për ata që punojnë aty. Një shoqatë kineastësh shqiptar, bazuar në ligje mendon se “Albafilm Studio” duhet të kthehet në shoqëri aksionere, me pjesmarrje të kapitalit shtetëror në masën 51% të aksioneve dhe 49 të tyre të shiten. Nëqoftë se nuk zbatohet ligji për kinematografinë kjo shoqatë i drejtohet ministrit Rama që “Albafilm Studio” të kthehet në një ndërrmarrje aksionere, ku një pjesë e 49% ti jepet krijuesve dhe punonjësve.
Një ekspozitë pikture e Jeton Cinit, piktorit 28-vjeçar nga Tirana i është kushtuar temës së dashurisë. Në Hotel Rogner është dhënë një koncert i muzikës kontemporane për të gjithë Ambasadorët në Tiranë i organizuar nga bashkimi i profesionistëve të muzikës me rastin e takimit të kompozitorëve të Ballkanit. Në Pallatin e Kulturës hapet një ekspozitë pikture e studenteve të Akademisë së Arteve të Bukura./tvklan.al