Bllok lajmesh nga vendi – (26 Qershor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Ndryshime të rëndësishme në kupolën e Policisë Shqiptare në thellim të ndryshimeve nga Ministri i Rendit Spartak Poçi. Dje janë publikuar emërimet e Besnik Bregut në krye të Drejtorisë së Policisë së Vlorës dhe Ilia Nasit në krye të uniformave blu të Sarandës.
Shteti Shqiptar duhet të marrë shembullin e FBI-së dhe DEA-s Amerikane për luftën kundër mafias dhe drogës. Ka qenë ky konkluzioni i liderit të Partisë Republikane Fatmir Mediu në përfundim të vizitës së tij të fundit në SHBA ku ai zhvilloi takime mjaft të rëndësishme.
Gara për rizgjedhjen e kryetarëve të dy partive më të mëdha në Shqipëri në qendër të politikës së ditës. Sipas ish-kryeministrit Bashkim Fino rizgjedhja e dy njerëzve që kanë drejtuar politikën shqiptare vitet e fundit Nanos dhe Berishës, nga Kongreset e PS dhe PD, kurrësesi nuk mund të sjellin destabilizimin e Shqipërisë.
Incident i rëndë ndërmjet trupave ruse në Kosovë dhe UÇK-së. Ata kanë ndaluar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Agim Çekun me pretendimin se ishte me uniform. Hashim Thaçi këtë e ka quajtur akt të paramenduar. Ndërsa zyrtarët rusë deklarojnë se gjithçka është kryer brenda rregullave.
Plot 15% e shqiptarëve kanë emigruar në dhjet vitet e fundit duke u shpërndarë nëpër botë. Sipas një studimi mjaft të detajuar për këtë çështje rezulton se harta e shpërndarjes përfshin jo vetëm fqinjët tanë por dhe vende të tjera deri në Amerikë e Azi.
Aksioni i OKB-së për grumbullimin e armëve në rrethin e Gramshit ka risjellë qetësinë në rendin dikur të tronditur. Sipas statistikave deri tani janë grumbulluar 6 mijë armë, 10 mijë granata dhe 70 milion fishekë. Por gjithsesi problem mbetet grumbullimi i 50 mijë armëve të tjera./tvklan.al