Bllokimi i buxhetit, Gjykata Administrative rrëzon Prefektin


Bllokimi i buxhetit, Gjykata Administrative rrëzon Prefektin

15:48 13/05/2014 gjykata administrativeGjykata administrative ka hedhur poshtë si të paligjshëm bllokimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës nga Prefekti i Qarkut. Kjo Gjykatë e ka konsideruar ndërhyrjen e Prefektit si tejkalim kompetencash të pabazuar në ligj. Në të njëjtën kohë, Gjykata ka konfirmuar legjitimitetin e buxhetit të Bashkisë të miratuar më 26 shkurt me konsensusin politik të anëtarëve të majtë e të djathtë në Këshillin Bashkiak.

Pas miratimit të buxhetit prefekti ndërhyri duke konfirmuar buxhetin por duke kërkuar rishikimin e fondit të shpronësimit të Bulevardit. Bashkia e Tiranës e konsideroi të paligjshme ndërhyrjen e Prefektit me qëllimin e vetëm, sipas saj, bllokimin e Bulevardit dhe lënien e qytetit pa buxhet, pasi vendimi i Prefektit rrëzoi gjithë buxhetin. Pak ditë më parë Bashkia e Tiranës iu drejtua Gjykatës Administrative për zgjidhjen e çështjes. Sipas saj institucioni i prefektit ka për detyrë që të konfirmojë ligjshmërinë e vendimeve që merren nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Ky i fundit për të gjetur një zgjidhje e rishikoi buxhetin edhe një herë, dhe vetëm një ditë më parë Prefekti e konfirmoi buxhetin e Bashkisë të rishikuar. Por me këtë vendim, Gjykata Administrative legjitimon, buxhetin e miratuar më 26 shkurt. Në buxhetin e vitit 2014 të Bashkisë së Tiranës ishte parashikuar dëmshpërblimi i ish-pronarëve për 260 familje.

Tv Klan





Të ngjashme