Bllokohen 1.5 ton kanabis në brigjet e Kalabrisë


Bllokohen 1.5 ton kanabis në brigjet e Kalabrisë

16:13 22/05/2014 FISCO: BLITZ GDF AD AMERICA'S CUP A VENEZIA

Një tjetër sasi gjigande droge është sekuestruar nga autoritetet italiane në brigjet e Kalabrisë, pas kapjes dy ditë më parë të peshkarexhës me 1.4 ton kanabis në portin e Katanias. Bëhet fjalë për një operacion të organizuar nga njësitë e Guardia di Finanzas në Krotone, prej mbrëmjes së të mërkurës deri në orët e para të së enjtes, ku u arrit të kapej 1.5 tonë marijuanë, me një vlerë rreth 10 milionë euro. Sipas njoftimit zyrtar, droga mund te jete ngarkuar në Shqipëri ose në Greqi dhe ka patur destinacion final tregun me pakicë në Itali.

Një itenerar të trafikut të drogës që nis nga Shqipëria dhe mbërrin në Itali përmes Greqisë e ka përmendur  në një shkrim të ditëve të fundit edhe prestigjozja italiane Corriere Della Sera. Gazeta publikoi dhe një hartë ku përveç linjës direkte nga Shqipëria në Itali,  tregohen edhe linjat e tjera të trafikut  të marijuanës  apo heroinës nga Shqipëria në Europën perëndimore. Droga kalon në Itali edhe përmes Greqisë, ndërsa në Gjermani ndjek rrugën e Italisë apo Malit të Zi.

Sasia e fundit e drogës që u kap mëngjesin e kësaj të enjte në brigjet e Kalabrisë u zbulua nga një mision rutinë patrullimi i helikoptert të Guardia Di Financës. Autoritetet pikasën

një gomone me disa persona në bord, që po i afrohej zonës së Krotones dhe u vunë menjëherë në ndjekje të saj  bashkë me 2 mjete lundruese.

Personat që ndodheshin në gomone, e kuptuan se ishin vënë në ndjekje, ndaj me shpejtësi kanë mundur të hedhin në det ngarkesën e drogës në një distancë prej rreth 3.5 kilometrash nga bregu dhe u larguan për në ujrat ndërkombëtare. Në përfundim të operacionit, u verifikua sasia kolosale e drogës prej 1.5 tonësh, e cila i është dorëzuar autoriteteve gjyqësore si provë materiale. Këto të fundit kanë nisur edhe hetimin e mëtejshëm për zbulimin e këtij rrjeti ndërkombëtar narko-trafiku.

Në më pak se një javë, autoritetet italianë kanë sekuestruar disa tonë kanabis, pjesa më e madhe e së cilës është konfirmuar ose dyshohet që vjen nga Shqipëria.

TV KLAN





Të ngjashme