Bllokohen 25.3 ton miell i kontaminuar
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar një ngarkesë me 25.3 ton miell që u tentua të kalojë kufirin shqiptar nga Greqia në doganën e Kapshticës në Korçë. Këto janë pamjet e maunes së bllokuar, e cila njoftohet se kishte të vendosura mbi thasë etiketa false, të cilat deklaronin një nivel proteine 13.1%, por që sipas Autoritetit të Kontrollit të Ushqimit, nuk ishte real.
Televizioni Klan ka mësuar nga burime konfidenciale se në fakt mielli ishte tërësisht i kontaminuar e se afati i skadimit të tij kishte mbaruar prej kohësh. Shumë magazina në territorin grek e përdornin si rrugë kufirin shqiptar për të futur miell jashtë standardeve, e për ta tregtuar atë te bizneset shqiptare me çmim të ulët, ndërsa konsumatorëve u shitej me çmim tregu.
Dy muaj më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kallëzoi penalisht në prokurori dy grosistët më të mëdhenj që importojnë miell nga Serbia e Kosova. Ata dyshohet se kanë falsifikuar etiketat e kanë shitur miell jashtë standardeve, me përqindje të ulët proteine, rregull i cili është i vendosur me ligj.
Tv Klan