Bllokohet autostrada Fier –Lushnjë
Për më shumë se tre orë rruga Fier -Lushnjë u bllokua nga banorë të fshatit Mbrostar, të cilët protestuan kundër ngritjes së impiantit të mbetjeve në këtë zonë.
Radha e automjeteve që mbetën të bllokuara arriti në 10 km në të dyja anët e autostradës.
Shumë prej udhëtarëve që kishin si destinacion fshatrat afër Mbrostarit iu desh ta bënin në këmbë rrugën e mbetur duke zbritur nga autobusët, që mbetën të bllokuar që prej orës 9.30 të mëngjesit.
Protesta kundër impiantit të mbetjeve në Mbrostar ka shkaktuar edhe arrestimin e një banori të zonës dhe procedimin e dy të tjerëve për tubim të paligjshëm. Kjo solli zemërim e protestuesve që prej një jave vijojnë të bllokojnë rrugën nacionale Fier- Lushnjë.
Impianti i mbetjeve në Fier është shndërruar në beteje mes banorëve të Mbrostarit dhe Bashkisë së këtij qyteti.
Një muaj më parë ishin banorët e fshatrave Plyk – Kraps dhe Portëz ata që kundërshtuan me forcë ngritjen e impiantit nga ana e Bashkisë së Fierit.
Pas anulimit për ngritjen e tij në Portëz, një tjetër vendim i Këshillit Bashkiak që kaloi me votat e maxhorancës i hapi rrugën ndërtimit të këtij impianti në zonën e Mbrostarit./ TV KLAN