Blushi largohet nga PS: S’do të jem më pjesë e kazanit të mbetjeve të 3 partive parlamentare
Pas kritikave dhe akuzave të forta e të vazhdueshme ndaj Rilindjes, Ben Blushi i ka dhënë fund betejës brenda Partise Socialiste dhe ka vendosur të largohet prej saj.
Vendimin e ai e ka bërë publik në një shkrim në gazetën
Panorama.
Duke marrë shkas nga miratimi i ligjit për importin e mbetjeve, Blushi bën përgjegjëse tre partitë kryesore, duke vënë theksin sa tek mekanizmi i përdorur prej të trejave për ta miratuar ligjin, aq edhe tek qëndrimet e ndryshme që kanë patur në dy herët kur ky ligj ka mbërritur në parlament.
Blushi thotë se këto tre parti e kanë shndërruar parlamentin në një kazan elektoral, pjesë e të cilit ai ka vendosur të mos jetë më.
“Ky pra është kazani i mbetjeve të tri partive të vjetra parlamentare.
Ato nuk kanë asnjë ndryshim, asnjë ditë, me përjashtim të ditës së zgjedhjeve, kur përpiqen të ndajnë mbetjet në mënyrë klasike: plastika më vete, druri më vete dhe letra më vete dhe natyrisht të gjitha për vete.
Njëra merr plastikën e fjalës së lëvizshme të burrit, tjetra drurin e hurit të gurit dhe tjetra letrën higjienike që fshin gjurmët e mbështetjes pas murit. Ky është një kazan elektoral që unë e njoh shumë mirë.
Prej tij nuk do dalë kurrë më, asnjë gjë e pastër. Ai mund të riciklohet, por asnjëherë nuk do pastrohet.
Prandaj kam vendosur të dal përfundimisht që aty për të kuptuar atë që shumë njerëz e dinin para meje: në Shqipëri duhen pastruar partitë që të pastrohen kazanët”.
Ben Blushi nuk bën të qartë nëse do të krijojë një forcë të re politike. Që prej Prillit, kur kërkesa e tij për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Partisë Socialiste u rrëzua nga referendumi i thirrur nga Rama, Blushi kishte braktisur të gjitha mbledhjet e forumeve të kësaj force.
Ai ka qenë një nga zvrat më të fortë kundër qeverisë së Edi Ramës brenda Partisë Socialiste.
Pasi e mbështeti Edi Ramën për të marrë drejtimin e Partisë Socialiste në vitin 2005, ai kërkoi largimin e tij në vitin 2009 pas humbjes së zgjedhjeve, por u afrua sërish me Ramën para zgjedhjeve të vitit 2013.
Tv Klan