Blushi, replika me ministra e deputetë të PS: Në emër të kujt e mbroni Rroshin?


Blushi, replika me ministra e deputetë të PS: Në emër të kujt e mbroni Rroshin?

13:51 02/06/2016

Me tone të forta, në një fjalim të mbajtur në Parlament, deputeti Ben Blushi akuzoi ministra, deputetë e drejtues të Partisë Socialiste se, po mbrojnë Elvis Rroshin, pavarësisht se ai rezulton i dënuar për një krim të rëndë, si përdhunimi, në Itali.

Atë që ka ndodhur me ish-kryetarin e Bashkise së Kavajës, Blushi e quajti degradim të moralit, dhe u tha kolegëve të tij socialist se po e mbrojnë Rroshin për një arsye të vetme, sepse ai ishte mik i kryeministrit.

Blushi:

Dje pashë një miting që Partia Socialiste bënte për të kundërshtuar një dorëheqje që bëhej në emër të ligjit. Gjithë partia doli ta mbronte…Po pse? A thua detyra e një partie është të mbronte dikë që ligji e ndalonte të ishte në detyrë. Dhe në emër të partisë ky njeri tha: ‘unë do jem sërish kryetar i bashkisë’.

Çështja nuk është ai. Ai ka çdo të drejtë të mbrohet. Çështja janë ata që e mbrojnë? Në emër te kujt? Unë ju pyes ju sot në emër të kujt e mbroni?

Unë e di në emër të kujt. Jo në emër të Shqipërisë. As në emër të shoqërisë, as në emër të partisë. Por në emër të shokut të kryetarit të partisë. Ja pra sa poshtë ka arritur morali i kësaj partie. Tani mbron edhe shokun e kryetarit megjithëse e di se, mund te ketë vrarë, të ketë vjedhur, të ketë përdhunuar dhe mashtruar.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i kujtoi se me këtë gjuhë, mazhorancën e ka akuzuar opozita dhe se qeveria nuk mbron askënd që ka probleme me ligjin.

Tahiri:

Askush nga ne nuk mbron kurrkënd që ka një probleme me drejtësinë.  Ta përsëris, unë jam akuzuar, dhe deri që kam vënë bomba në familjen time. Këtu ka njerëz që janë akuzuar për çmenduri nga më të ndryshmet. Do me akuzosh dhe ti që i kam vënë unë bombat në familjen time? Kjo është mënyra për të bërë politikë në këtë foltore? Kjo është mënyra për të drejtuar gishtin ndaj kujtdo që s’bënë punën ashtu siç mendon ti apo siç mendojmë ne shumë këtu. Dëgjova që ti Blush the që nuk je më socialist “sepse Socialistët mbrojnë bandat”. Dakord, kjo është çështja jote. Edhe sipas meje nuk je më, në fakt.

Debati mes Blushit e Tahirit vijoi me pikërisht me refuzimin e Blushit për ta quajtur veten socialist, njësoj si të zgjedhurit e mazhorancës që rezultojnë tashmë me të shkuar kriminale.

Blushi:

Do me tregosh mua nëse jam socialist? Nëse socialist do të thotë të jesh si Kokëdhima, Ndoka, Rroshi, Prenga, Xhelili, unë nuk jam socialist!

Tahiri:

Të jesh socialist nuk do të thotë të kesh lidhje me emrat që përmende, pavarësisht se kanë një histori të cilën e kanë zgjidhur apo do e zgjidhin me drejtësinë, kjo nuk ka aspak rëndësi për mua. Unë nuk jam nga ata që marrin njeri në mbrojtje në rast se ka një çështje me ligjin. Por unë dhe besoj shumë nga kolegët, sigurisht ndihem i fyer dhe i prekur që të bësh këtë: të përdorësh një emër e më pas t’u vesh një njollë të gjithëve. Kjo nuk shkon. Kjo nuk ka shkuar, nuk shkon e nuk mund të ecë kështu.

Por veç debatit me ministrin Tahiri, deputeti Blushi replikoi edhe me disa ministra e deputete në sallën e Parlamentit.

TV KLAN






Të ngjashme