“Boeing Boeing” drejt rekordeve


“Boeing Boeing” drejt rekordeve

12:37 03/04/2019

Për të parë komedinë “Boeing Boeing” duhet të jesh i shpejtë të gjesh bileta. Sa herë vihet në skenë, radha është e gjatë.

Aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me tri stjuardesa; një franceze, një gjermane dhe një amerikane kanë tërhequr publikun shqiptar duke bërë që ajo të shfaqet për të 90-ën herë në Teatrin Eksperimental, por asnjëherë njësoj.

Aktorët e kanë bërë shfaqjen aq pjesë të tyre sa çdo herë e sjellin me batuta të reja.

“Ne kemi shtuar kaq shumë nga vetja saqë tashmë çdo shfaqje është ndryshe nga tjetra. Këtu kanë ardhur njerëz që e kanë parë nga 7 herë shfaqjen dhe thonë që kemi parë 7 shfaqje të ndryshme”.

Për aktorin Gentian Zenelaj, harmonia e krijuar mes aktorëve është vetëm një pikë e suksesit të “avionit të pandalshëm” siç e quan ai.

“Sekreti i shfaqjes është energjia. Kiço arriti të kombinojë një trupë rinore, unë jam i vjetri aty, dhe ju nuk e keni idenë sa përfitoj nga energjia e tyre. Fati ynë është se jetojmë në një dekadë ku njerëzit janë të dashuruar me komedinë si duket për shkak të ambientit që i rrethon prej kohëve që po kalon vendi ynë”.

“Boeing Boeing”, e shfaqur për herë të parë në vitin 2017 me këtë trupë aktorësh, do të ngjitet sërish në skenë, për shkak të interesit të pubilkut. Interes, që po e çon veprën e autorit francez Marc Camoletti, drejt një rekordi për numrin e shfaqjeve, e po ashtu edhe për arkëtimet.

Tv Klan






Të ngjashme