Bomba me hidrogjen/ “Mesazhi i Koresë së Veriut është i qartë”
Koreja e Veriut testoi bombën me hidrogjen, duke e quajtur një sukses këtë pajisje të re. Testi bërthamor shkaktoi tërmet artificial me magnitudë 6.3. Ky veprim i shtetit komunist ka ngjallur zemërimin e fuqive botërore, ndërsa pritet ende reagimi dhe veprimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për eksperten e mbrojtjes, Melissa Hanham, testi bërthamor ishte një mesazh mëse i qartë.
Duke analizuar foton e publikuar nga media shtetërore koreano-veriore, ku shfaqet diktatori Kim Jong që inspekton një model të bombës me hidrogjen, ajo thotë:
“Nuk e dimë ende nëse pajisja që duket në foto ishte ajo që shpërtheu në tunel apo është vetëm një model. Por mesazhi është i qartë. Ata duan të tregojnë se janë të vetëdijshëm çfarë shkakton një bombë e vërtetë nukleare”.
Testimi i gjashtë bërthamor i Koresë së Veriut është konfirmuar fillimisht nga Japonia, e cila pasi analizoi fenomenet natyrore, arriti në përfundimin se tërmeti nuk ishte natyror, por i shkaktuar nga shpërthimi në tunel.
/tvklan.al