Bombardimet e NATO-s – (19 Maj 1999)


Bombardimet e NATO-s – (19 Maj 1999)

14:27 19/05/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Aeroplanët e Natos bombarduan mbrëm një depozitë karburanti në afërsi të Beogradit në natën më të qetë të bombardimeve që nga fillimi i fushatës ajrore. Nato ka njoftuar sot se moti i papërshtatshëm ka penguar realizimin e sulmeve të planifikuara. Megjithatë përveç këtij sulmi në afërsi të Beogradit janë sulmuar shumë objektiva në Kosovë.

Zyrtarët e Lartë të Aleancës deklaruan se aeroplanët e saj kanë goditur me sukses shumë objekte tokësore në Kosovë, përfshirë tanke, autoblinda, mortaja dhe mëse 20 topa artilerie. Disa sulme janë bërë edhe gjatë paradites së sotme. Zyrtarët e Natos në deklaratat e sotme për shtyp kanë paraqitur bilancin e dëmeve të makinerisë luftarake të Millosheviçit.

Janë shkatërruar 1/3 e tankeve dhe e artilerisë së rëndë. 70% e avionëve MIG-29, 34% e armatimit të rëndë etj. Nga selia e Natos është shprehur optimizëm se fushata ajrore e Aleancës po jep rezultate. Krahas dezertimeve të forcave në Kosovë kjo shihet edhe në pakënaqësitë në rritje te qytetarët e Serbisë. Familjet e ushtarëve serb që po shërbejnë në Kosovë, kanë protestuar duke kërkuar kthimin e bijëve të tyre të gjallë./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori







Të ngjashme