Bombardimet e Natos në Jugosllavi – (15 Maj 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Natën Aleanca ka kryer 600 fluturime dhe ka bërë 300 bombardime mbi objektiva të ndryshme mbi Jugasllavi. Goditjet më të forta janë bërë në Serbinë Qëndrore, ku nën bombat e Natos janë gjendur objekte ushtarake, zona industriale dhe pika të tjera strategjike.
Nëntë shpërthime të fuqishme janë dëgjuar mbrëm në qytetin e Çaçakut, përkatësisht mbi dy fabrika të këtij qyteti. Raketa janë hedhur edhe në afërsi të qytetit të Uzhicës. Bombardime janë bërë edhe në Kraklev, Nish etj. Avionët e Natos kanë bombarduar edhe sot gjatë ditës në disa objektiva në Kosovë.
Në shënjestër të sulmeve të fundit kanë qenë tre aeroporte, katër ura autostrade, dy ura mbi linja hekurudhore dhe bombardime të shpeshta mbi pozicionet kundërajrore Jugosllave. Nato pranoi sot se ka bombarduar një objektiv në fshatin Korish por duke theksuar se objektivi i saj ishte një objektiv ushtarak.
Në një komunikatë të publikuar rreth këtij rasti Nato shpreh keqardhje të thellë për viktimat civile të shkaktuara aksidentalisht. Komunikata e Natos përgënjeshtron pretendimet serbe se gjatë sulmit janë përdorur bomba thërmuese. Për të gjitha është duke u bërë hetim intensiv thanë zyrtarët e Aleancës, për të vazhduar fushatën deri në kapitullimin e Millosheviçit./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego