Bombardimet nga NATO (30 Maj 1999)


Bombardimet nga NATO (30 Maj 1999)

11:08 30/05/1999

700 misione fluturimi dhe rreth 300 bombardime mbi objektiva të ndryshme, ky është bilanci i fushatës së mbrëmshme të aeroplanëve të NATO-s. Veprimet më të fuqishme kanë qënë mbi objekte të telekomunikacionit, sistemit mbrojtës, linjave të komunikimit dhe të infrastrukturës energjitike.

Beogradi ka qënë në qënder të sulmeve të Aleancës. Shpërthime janë dëgjuar dhe në disa zona përreth Beogradit. Avionet e NATO-s kanë vepruar edhe në qytetin e Nishit, kryesisht në zonën industriale. Në Kosovë janë goditur njësitë e artilerisë, formacionet e blinduara, bazat raketore dhe pozicionet e forcave ushtarake.

Pentagoni ka deklaruar sot se nuk sheh asnjë shenjë të tërheqjes së forcave serbe. Aleanca mbetet e vendosur për të vazhduar fushatën ajrore. Nga Beogradi priten veprime jo fjalë, ka thënë sot zëdhënësi i NATO-s, Xhemi Shi. Millosheviçi ka thënë ai, duhet të bëjë një deklaratë me të cilën ai pranon pesë kushtet e NATO-s dhe fillon tërheqjen e trupave nga Kosova./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti






Të ngjashme