Bombardimet që po marrin jetë të pafajshme
Sulmet ajrore dhe zjarri me artileri të rënda në zonat nën kontrollin e rebelëve, në lindje të qytetit të Aleppo –s në Siri, kanë hyrë në ditën e katërt.
Një korrespondent i AFP tha se sulmet kanë qenë më të rëndat që kishte dëgjuar përgjatë këtyre dy viteve. Të paktën 13 persona raportohen të vdekur. Një prej pjesëtarëve të OKB në Siri tha se Aleppo po përballet me një situatë të vështirë, pasi ushqimet po mbarojnë dhe dimri po afron, e me qindra e mijëra familje po mbeten pa rezerva. Të shumtë janë ata që ndodhen në këtë qytet e që shprehen se këto janë bombardimet më të rënda që kanë dëgjuar deri më sot. Sipas BBC, ka raportime se i vetmi spital pediatrik ende funksional në zonë, është sulmuar sërish, dy ditë pasi aktivistët thanë se ishte dëmtuar rëndë. Aleppo, dikur qyteti më komercial dhe industrial në Siri, është ndarë përgjysmë që prej 2012 –ës, ku qeveria kontrollon veriun dhe rebelët lindjen. Në fund të Tetorit, si pasojë e sulmeve ajrore më shumë se 700 persona kanë humbur jetën në lindje, por të vdekur ka patur edhe në perëndim. Sulmet rinisën të martën, pas një moratorium 3 javor të shpallur nga qeveria në aleancë me Rusinë. Vetëm gjatë 4 ditëve të fundit raportohet për të paktën 65 të vrarë. Megjithatë, Rusia tha të enjten se sulmet e saj ajrore ishin aktive vetëm në provincat e Idlib dhe Homs dhe objektivi ishte i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe jo Aleppo./tvklan.al