Bonot e thesarit në dorë të disa bankave
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë filluar punën intensive për të krijuar një treg të ri të mënyrës se si do të blihet borxhi i qeverisë.
Në parashtrimet që këto dy institucione i kanë dhënë Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, propozojnë që tregu primar i bonove të thesarit, të mos blihet nga të gjitha bankat dhe qytetarët, por të përzgjidhen 5 prej tyre të cilat marrin borxhin në shumën që e kërkon qeveria dhe më pas e shesin në institucione të tjera.
Televizioni Klan ka arritur të sigurojë raportin e këshilltarit nga FMN në Bankën qendrore, Guido della Valle, i cili shprehet se tregu i bonove të thesarit në Shqipëri nuk funksionon si duhet, ndaj duhet përdorur një skemë e re. Ai shprehet se në 20% të rasteve qeveria nuk arrin të marrë shumën që kërkon gjatë ankandit që organizon Banka e Shqipërisë dhe e merr me kosto mjaft të lartë.
Shkak për këtë është se bankat dhe qytetarët zgjedhin periudhën më të shkurtër 6 ose 12 muaj që të investojnë paratë. Për të zhdukur këtë model, Della Valle propozon që të licensohen 5 banka të cilat do të jenë të detyruara të marrin titujt e borxhit, e më pas t’i shesin në tregun e dytë, që janë fondet e investimeve, bankat e tjera dhe qytetarët.
Burime për televizionin Klan në ministrinë e Financave pranuan se ka disa kohë që po përgatitet një projekt i tillë i cili do të jetë gati brenda 1 viti. Risku nëse zhvillohet ky model, të cilin e pranon si banka botërore dhe Fondi monetar, është përjashtimi i qytetarëve nga ankandet e bonove të thesarit, të cilat sot janë më fitimprurësit për kursimet e tyre dhe mungesa e konkurrencës në banka.
Tv Klan