Boshatiset Pallati Sportit “Asllan Rusi” nga kosovarët (22 Maj 1999)
Pallati i Sportit nis të boshatiset. Më të privilegjuarit dhe më me shumë kushte në ditët me shi duket se janë të ardhurit në Pallatin e Sportit. Ky pallat ka qënë më problematiku me numrin më të madh të personave që strehonte dhe ushqente. Tashmë janë më të kënaqur me një hapësirë të munguar më parë. Marrin frymë lirisht dhe e ndjejnë erën e drekës që përgatitet.
Duket që shumë shpejt do të vijë në gjendjen e mëparshme. Sot në orët e para të mëngjesit, katër autobusë janë transportuesit e parë të 200 kosovarëve nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi” për në Hamalle të Durrësit. Kampi i ri i ngritur nga forcat spanjolle do të strehojë familjarët e premtuar.
Dy autobusë të tjerë në orët e drekës do të shkëpusin nga ky ambient edhe 200 të tjerë duke pakësuar kështu sadopak numrin e atyre që kanë muaj që strehohen në këtë banesë. Tashmë mbi 1000 kosovarë kanë mbetur në këtë pallat ku këto ditë do të merren të tjerë për t’u zhvendosur në kampingun e Durrësit./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti