Bosnja përfshihet nga kriza e emigranteve


Bosnja përfshihet nga kriza e emigranteve

16:10 24/10/2018

Në Bihaç, syri të zë në çdo cep emigrantë e refugjatë nga vendet e lindjes.

Afërsia me kufirin kroat ka grumbulluar në qytetin e vogël verior të Bosnjës mijëra emigrantë që presin të vazhdojnë rrugëtimin në vendet europiane. Autoritetet po i strehojnë ku të munden, në çadra e ndërtesa të braktisura, pasi kapacitetet u kanë shteruar.

“Ky nuk është kamp. Këtu as kafshët nuk do të mund të flinin. Unë jam njeri jo kafshë. Nga qendra e qytetit na largojnë.”

Banorët e Bihaçit ankohen për shtimin e rasteve të vjedhjeve dhe sulmeve në banesa nga të huajt. Prej ditësh ata protestojnë për largimin e tyre.

”Njerëzve që kanë të drejtë ligjore le t’u jepet azil. Ilegalët dhe kriminelët të dëbohen. Kemi mjaft probleme, na shtohet edhe ky.”

Autoritetet kroate kanë mbyllur kufirin. Ndërsa Bosnjës nuk i jepet asnjë zgjidhje për dyndjen që vijon pa u ndalur. Mediat austriake shkruajnë se ata gjejnë hapësira në rrugën tashmë të bllokuar ballkanike që kalon përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Që prej fillimit të vitit në Bosnje kanë mbërritur rreth 20 mijë emigrantë nga Azia, Lindja e Mesme e Afrika.

Tv Klan






Të ngjashme