Bota fillon të marrë frymë
3.26 milionë qytetarë të prekur nga virusi
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar se numri global i të infektuarve me koronavirus qëndron në 3.26 milionë, me 80.000 raste të reja të shënuara në 24 orët e fundit. Një total prej 229,000 njerëz kanë humbur jetën në të gjithë botën.
Vendi më i goditur janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që me 1691 viktimat e shënuar në orët e fundit numëron 67.448 vdekje në total. Kjo ka goditur fort ekonominë vendase, teksa ka prekur edhe manjatin më të madh të linjave ajrore. Warren Buffett ka konfirmuar se ka shitur të gjithë aksionet e tij në katër linjat ajrore më të mëdha amerikane.
Kompania e drejtuar prej tij, ‘Berkshire Hathaway’, njoftoi një rekord humbjesh prej 50 miliardë Dollarë në 3-mujorin e parë, me investitorin që pohoi se koronavirus ka ndryshuar totalisht botën. Pas një jave, Italia ka kaluar cakun e 400 viktimave në një ditë, teksa në 24-orëshin e fundit ka regjistruar 474 vdekje. Shifra që e dërgojnë në 28.710 numrin total të viktimave, ndërsa kanë ngritur sërish alarmin në vend. Data 4 Maj është konsideruar si dita e fundit e luftës në shtetin fqinj, por Kryeministri Giuseppe Conte lajmëroi popullatën se lirim të kufizimeve do të ketë duke nisur që prej ditës së nesërme, por në mënyrë graduale.
Barcelona ka rihapur rreth 70 parqe që do të përdoren nga qytetarët për të shëtitur, pasi Spanja shënoi ditën e tretë nën nivelin e 300 viktimave. Shteti iberik regjistroi 265 viktima në 24 orët e fundit dhe tashmë kalon 25 mijë të vdekur.
Rënie të numrit të viktimave nga Covid-19 nga një ditë më parë është shënuar në Mbretërinë e Bashkuar. 166 ishte numri i viktimave të regjistruara në Francë, duke regjistruar numrin total në 24.760. Gjermania thuajse ka përgjysmuar numrin e viktimave nga një ditë më parë, ku 76 vdekjet e reja e dërgojnë në 6812 numrin total të të vdekurve në vend.
Klan Plus