Breshëri plumbash në drejtim të institucionit (Video)
Persona të pa identifikuar dhe për arsye të panjohura, hapën zjarr në drejtim të godinës së Njësisë Administrative Blinisht, në Lezhë. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të natës dhe përveç shenjave të dukshme të plumbave, fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Mbetet e paqartë arsyeja e këtij sulmi, megjithatë deri më tani mësohet se janë shoqëruar të paktën 10 persona. Autoritetet policore në Lezhë kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Ngjarjen e dënoi edhe Bashkia Lezhë, e cila në një reagim në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale thotë se menjëherë pas ngjarjes u ngrit një grup pune, që doli në konkluzionin se ngjarja nuk ka lidhje me shërbimin e ofruar nga administrata. Bashkia i bën gjithashtu thirrje policisë që të zbardhë ngjarjen.
“Sqarojmë opinionin publik se me urdhër të Kryetarit të Bashkisë Lezhë, z. Fran Frrokaj, u ngrit menjëherë një grup punë, nga i cili pas verifikimit deklarohet se, kjo ngjarje nuk ka asnjë prapavijë në lidhje me shërbimin e administratës. Nga verifikimi i regjistrave dhe protokollit, saktësojmë se nuk është dokumentuar asnjë ankesë e banorëve të kësaj zone që mund të krijojë indicie për ngjarje të tilla në raport me shërbimet që ofron administrata. Nga inventari brenda godinës, rezulton që nuk është dëmtuar asnjë dokumentacion.
Bashkia Lezhë i bën thirrje Policisë së Shtetit, të vëjë para përgjegjësisë autorët e kësaj ngjarjeje, që cënon rendin , shërbimin administrativ dhe publik”./tvklan.al