Britania drejt daljes pa marrëveshje nga BE
Dështimit të marrëveshjes mes Londrës dhe Brukselit për Brexitin konsiderohet gjithnjë e më i mundshëm edhe nga Bashkimi Europian. Komisioni Europian u ka dërguar një kërkesë qeverive të 27 vendeve anëtare të hartojnë një plan emergjent masash, të bazuar mbi një sjellje zemërgjerë ndaj shtetasve britanikë që jetojnë në vendet europiane. Në këmbim, Komisioni kërkon që edhe shtetasit europianë që jetojnë në Britaninë e Madhe të trajtohen në të njëjtën mënyrë.
Në direktivën e Komisionit Europian propozohet që 1 milionë britanikëve t’u jepet leje e përkohshme qëndrimi në vendet e unionit, deri në përcaktimin e rregullave të përhershme. Kompanive britanike të fluturimeve nuk do t’u lejohet të operojnë mes qyteteve europiane, përveçse duke ndaluar në Londër. Kamionëve britanikë do t’u lejohet të dërgojnë mallrat në vendet europiane deri në fund të 2019-ës, nëse e njëjta e drejtë u garantohet edhe atyre të Bashkimit Europian.
Marrëveshja Londër-Bruksel pritet të mos miratohet në votimin e Janarit, pasi shumica e deputetëve janë kundër saj. Vetë deputetët konservatorë e akuzojnë Theresa May-n se ka pranuar që Britania të shndërrohet në vasale të Brukselit.
Tv Klan