Britney Spears, peng i babait të saj!
këngëtarja braktis muzikën pasi i ati nuk heq dorë nga kontrolli absolut
Jeta dhe karriera e këngëtares së njohur Britney Spears vijon që të kontrollohet nga babai i saj. Jamie Spears, ka qenë përfaqësuesi i saj ligjor prej 12 vitesh. Ai kontrollonte çdo vendim apo dokument që nënshkruante këngëtarja, për shkak të shqetësimeve lidhur me shëndetin mendor të 38-vjeçares.
Këtë herë Spears ka kërkuar në gjykatë që t’i jepet fund kësaj marrëzie pasi ajo është e aftë të kontrollojë jetën e saj. Gjykatësja nuk pranoi që ta heqë nga kujdestaria babain e saj. Për këtë arsye, avokati i Britney-t njoftoi se këngëtarja ka vendosur të heqë dorë nga muzika për aq kohë sa i ati nuk heq dorë prej saj.
Gjatë intervistave edhe më herët Britney është shprehur se ndihet e frikësuar nga i ati pasi ai ushtron presion psikologjik mbi të. Ndërkaq avokati i Jamie argumentoi se ai gjithmonë vepronte në interesin më të mirë të vajzës së tij.
Jamie Spears ka menaxhuar pasuritë dhe jetën personale të Britney-t, duke i kufizuar asaj mundësinë për të takuar njerëz. Takimet e vetme që ajo realizon janë me mjekët ku ajo merr medikamente dhe i ushtrohet terapive të ndryshme.
Business Insider raporton se që nga viti 2018, superstari i pop-it kishte një pasuri me vlerë prej 59 milionë dollarë. Për kujdestarinë ndaj të bijës, Jamie paguhet 130 mijë dollarë në vit, duke i dhënë vetes edhe të drejtën të vendosë për shitjen apo blerjen e pasurive të patundshme.
Fansat e fushatës #FreeBritney kanë kërkuar edhe nga administrata amerikane që t’i jepet fund kujdestarisë së babait të Britney-t. Ata kanë realizuar edhe një peticion ku kanë mbledhur mbi 125,000 nënshkrime ku kërkojnë që këngëtarja të jetë e lirë.
Klan Plus