Bruksel, Miqtë e Shqipërisë – (22 Korrik 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Në takimin e zhvilluar sot pasdite në Bruksel, ku ka marrë pjesë dhe Ministri i Jashtëm Paskal Milo, Miqtë e Shqipërisë i kanë kërkuar qeverisë shqiptare përpjekje më të forta për përshpejtimin e reformave të tregut dhe demokratike në Shqipëri dhe kanë theksuar rëndësinë vitale në fuqizimin e sigurimit publik dhe të luftës kundër krimit e korrupsionit.
Ata kanë mirëpritur kthimin e Partisë Demokratike në parlament dhe kanë nxitur të gjitha forcat politike shqiptare për të punuar së bashku në mënyrë konstruktive. Miqtë e Shqipërisë mirëpritën në takim konfirmimin e qeverisë shqiptare për angazhimin e vazhdueshëm në objektivat e saj të reformës, por arritën në përfundim se progresi është i pamjaftueshëm, veçanërisht në fushat e ligjit, rendit dhe të anti-korrupsionit.
Miqtë e Shqipërisë kanë mirëpritur synimin e qeverisë shqiptare për të prezantuar ligjin e policisë shtetërore të re për të ristrukturuar dhe profesionalizuar policinë, por kanë shprehur shqetësimin për problemin e vazhdueshëm të krimit, trafikut klandestinë, armëmbajtjeve pa leje dhe të dështimit të sistemit të drejtësisë.
Miqtë e Shqipërisë kanë theksuar sot në Bruksel se korrupsioni dhe trafiku klandestinë mbeten një problem kritik duke i ulur shtetit të ardhurat. Hartimi i ligjit të shërbimit civil të rishikuar, u mirëprit dhe qeveria shqiptare u nxit ta zbatonte atë para verës. U vunë re mjaft reforma të gjyqësorit siç ishte adoptmi nga doganat i planit të veprimit anti-korrupsion.
Gjithashtu u theksua nevoja për transparencë maksimale në zgjidhjen e skemave piramidale. Miqtë e Shqipërisë mirëpritën përmirësmet në rezultatet makro-ekonomike të Shqipërisë, ndërkohë që shprehën zhgënjimin për ambjentin mjaft dekurajues për rritjen e investimeve. Shqetësime u shprehën gjithashtu për vonesa në zbatimin e projekteve të donatorëve./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame