Brukseli hap tregun për mallrat shqiptarë (8 Gusht 1999)
Europa hap tregjet e saj për mallrat e firmave shqiptare. Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian i mbledhur në Bruksel, ka vendosur që të heqë taksat doganore për prodhimet shqiptare duke filluar nga data 1 Tetor. Regjimi i ri tregtar krijon mundësinë që të eksportohen në tregjet europiane pa paguar taksa doganore në kufi prodhimet bujqësore si patate, domate, fasule, shalqi, speca dhe qepë, prodhime këto të freskëta dhe të konservuara.
Drejt vendeve evropiane pas 1 Tetorit mund të eksportohen pa paguar taksa doganore edhe kafshët e gjalla të imta por dhe prodhime blegtorale si gjalp e djathë. Për peshqit dhe molusqet nuk janë hequr taksat doganore por janë bërë lehtësira tatimore. Ndër prodhimet shqiptare që do të përfitojnë janë dhe prodhimet tekstile dhe ato me materiale porositësi. Këto masa lehtësuesi do të stimulojnë prodhimet vendase në Shqipëri por rrezikojnë dhe rritje çmimesh. /tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame