Bujar Bukoshi vizitë tek kampet e refugjatëve – (17 Prill 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Bujar Bukoshi një nga figurat politike më të diskutuara kohët e fundit, përkrahës i Rugovës, përfaqësues i Lidhjes Demokratike Kosovare, mbërrin në Shqipëri një ditë më parë dhe pas takimit me kryeministrin Majko dhe Kryetarin e Partisë Demokratike një ditë më pas, ai viziton popullin e tij në kampet ku ata janë sistemuar.
Bukoshi ka parë gjendjen se ku jetojnë kosovarët e ardhur dhe është interesuar për mungesat që ata kanë. Në vizitat e tij nëpër çadra ai është ndjekur nga të ardhurit kosovar, duke e shoqëruar atë edhe me duartrokitje. Pasi ka vizituar të gjitha ambjentet në çadra, i pyetur për gjendjen që ai vëzhgoi Bukoshi shprehet.
Bujar Bukoshi:- “Gjendja është e tmerrshme siç po e shihni, është një gjendje, plotësisht një çrregullim i përgjithshëm si pasojë e deportimeve. Ne po mundohemi të gjithë sëbashku të punojmë t’i zbusim këto vuajtje të njerëzve dhe të organizojmë të tjerat sidomos ndihmat që do vijnë, ndihma masive dhe ndihma të vijnë në destinim dhe qeveria ime po vë në dispozicion të gjitha atë çka ka të gjitha resurset të gjitha mjetet”.
Gazetarja:- Po qeveria Thaçi?
Bujar Bukoshi:- “Po dhe qeveria Thaçi është tu u përpjekë me dhënë kontributin e saj. Ne tani duhet të gjithë të punojmë sëbashku, të bëjmë atë që është e mundur. Edhe pse në rrethana shumë të vështira mendoj se do ta kapërcejmë, sigurisht që do ta kapërcejmë këtë gjendje.
Gazetarja:- Keni sinjale prej Rugovës?
Bujar Bukoshi:- “Jo nuk kemi direkt kontakte po Rugova është peng i policisë serbe, praktikisht Kosova është tash pa nje zë përfaqësimi”./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti