Bujar Himçi konferencë për ngjarjet e Tropojës dhe Berishën – (29 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Bujar Himçi:- “Deri tani me të dhënat që kemi, nga komisariati i policisë Tropojë, rezulton se janë dy të vrarë, 4 të plagosur, që janë shtruar në spitale, thuhet se ka edhe të plagosur të tjerë, të cilët në mënyrë ambulante marrin mjekim në shtëpi. Gjithashtu ka dhe një polic të plagosur, që sot kemi arritur ta transportojmë me helikopter, nga Bajram Curri në Tiranë. Ata që sulmuan komisariatin dje, dy prej të plagosurve dhe ishin persona me armë të fiksuar në kamerat tona, u morën me helikopter dhe u sollën në Spitalin Ushtarak”.
Zëvendës ministri i Rendit, Bujar Himçi, në konferencën për shtyp që dha sot pasdite, rikonfirmoi se viktimat e Tropojës janë dy. Nga radhët e protestuesve, përveç të plagosurve, ka pasur të plagosur edhe një polic.
Bujar Himçi:- “Pas ngjarjes së Bajram Currit, lideri i PD, ka fajësuar policinë si shkaktare të saj. Unë dua t’iu sigurojë, se policia në Tropojë nuk provokoi, por u provokua nga njerëz të armatosur. Policia nuk sulmoi, por u sulmua. Ashtu siç pati paralajmëruar dy orë më parë në miting kryetari i PD së Tropojës, Azgan Haklaj. Për qëndrimin e vendosur për institucionet e ligjeve në fuqi, efektivët e policisë së Bajram Currit kanë marrë vlerësimet dhe mbështetjen maksimale nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Rendit Publik”.
Azgan Haklaj, kryetari i PD së Tropojës, tha Himçi, është shpallur në kërkim ashtu si 30 persona të tjerë dhe do të arrestohet për organizimin e mitingjeve të paligjshme dhe veprime kundër institucioneve. Ndërsa për ndalin e Berishës sot në mëngjes, Himçi tha se gjithçka u bazua në ligj. Ndërkohë, sot Himçi ka konfirmuar edhe ndryshimet më të fundit në Ministrinë e Rendit. Veli Myftari, emërohet drejtor i rendit në ministri, në vend të Albert Dervishit, kurse në detyrën e drejtorit të policisë së Tiranës, emërohet Ilirjan Zylyftari./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj