Bukuria, jo i vetmi kriter për të qenë Miss
Puna rigoroze për të përzgjedhur më të bukurat e Shqipërisë që do të ecin në skenën e Miss Shqipëria 2021 nuk ka qenë e lehtë për t’i përzgjedhur gjatë audicioneve.
Tashmë janë shtuar kriteret për përzgjedhjen e vajzave që do të marrin çmime, siç është ulja e numrit të konkurrenteve, testi i inteligjencës për të rritur shpirtin e garës dhe spektaklit.
Regjisori Petri Bozo, i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan shpjegon si ka funksionuar përzgjedhja këtë vit dhe thekson fort që inteligjenca është kriteri më i fortë vitet e fundit, përpos bukurisë së dukshme të vajzave.
Rudina Magjistari: Si ka qenë për juve përzgjedhja?
Petri Bozo: Ka qenë pak e vështirë për pjesën e stafit, sidomos për fazën e parë, atë të audicioneve, por më pas në fazën e përzgjedhjeve kanë qenë një numër më i madh njerëzish në studiot tona që kanë parë të gjitha xhirimet e bëra në ambientet e studiove të Klanit dhe duke qenë se është rrahur një mendim pak më i gjerë se stafi normal që kemi pasur ne, ka qenë prezenca e 2-3 stilistëve të njohur, fotografëve, kemi pasur një diskutim më të fortë në këtë kontekst dhe ky është edhe fakti që janë përzgjedhur 26 vajza nga këmbëngulja ime e përvitshme, pasi gjithmonë i kam qëndruar strikt numrit 31 se e kam pasur numër fati që kur kam qenë regjisor i Telebingos. Si të thuash, centrifuga punoi pak më fort për të bërë një përzgjedhje më të saktë dhe kjo e bën më të bukur garën dhe spektaklin. Dje i thashë vajzave që pavarësisht çmimeve që jepen, duhet të shkëlqejnë në skenë sepse është ajo që mbahet mend dhe që ngulitet në histori në fund fare.
Arsyet kryesore pse vajzat duan të marrin pjesë në eventin kryesor të bukurisë janë nga më të ndryshme, kryesisht përdorimi i saj si një trampolinë për t’iu futur rrugës së televizionit ose fitimi i një eksperience të bukur dhe formimi i shoqërive të reja.
Rudina Magjistari: A ka një kauzë sivjet që mbron Miss Shqipëria?
Petri Bozo: Ne do të vazhdojmë të jemi pranë monumentit, ta promovojmë monumentin dhe të promovojmë një zonë që ka një monument të caktuar pavarësisht se sa është vlerësuar ose jo dikur ose në kohën e tanishme. E dyta, kauza është e thjeshtë, jeta duhet jetuar dhe e gjithë performanca e tyre që ka filluar vjet në një kohë kur askush nuk e mendonte se duhej të bëhej një event bukurie, u bë dhe të gjithë së bashku duhet të jetojmë jetën. Bukuria e tyre, ecja e tyre, buzëqeshja e tyre është shpresë për gjithçka që duket në ekran dhe që e shohim.
Rudina Magjistari: Ku garojnë vajzat në mesin e tyre dhe si do t’i testoni me njëra-tjetrën për të pasur vërtet një garë reale të aftësive të tyre?
Petri Bozo: Kriter i fortë është pjesa e inteligjencës që operojmë prej 12 vjetësh me Marin Barletin dhe që vetë stafi pedagogjik i shkollës bën testin e inteligjencës. Këtë vit kam ngelur jashtë mase i kënaqur sepse ndryshuam formatin e programeve në pritje të Miss Shqipërisë. Dertuam një formë debati midis një anëtari jurie dhe grupimeve të vajzave pesë e nga pesë në pesë programe që janë në transmetim aktualisht. Aty vura re, duke qenë në regji, që vajzat kishin ide shumë më të qarta sesa disa breza ose edicione më përpara. Kjo formë alternative diskutimi midis një personaliteti dhe pesë vajzave që aspirojnë për diçka ka ngjallur kureshtje dhe në të njëjtën kohë ka zbuluar një stad inteligjence të tyrin, të cili spektatori nuk arrin ta shohë dot në eventin e natës finale që është shfaqje e përgjithshme dhe pak mundësi kanë që të flasin. Kjo formë interaktive diskutimi më pëlqeu shumë dhe ka ngjallur interes. /tvklan.al