Bundesliga rinis më 9 Maj
Serie A frenohet nga Ministri i Sportit
Bundesliga do të rinisë më 9 Maj dhe tani nuk është më një hipotezë, por një datë fikse, e caktuar edhe me miratimin e shtetit gjerman. Kryeministri i Bavarisë, Markus Soder konfirmoi për gazetën BILD se kishte një akord për fillimin e kampionatit në këtë datë, por sigurisht me rregulla shumë strikte. Edhe Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se gjithçka mund të realizohej me sukses.
“Në parim, ndeshjet pa tifozë janë sigurisht të mundshme. Është thelbësore që rreziku i infeksionit të minimizohet”, ishin fjalët e Ministrit të Shëndetësisë. Vendosja e datës së rifillimit të kampionatit ka bërë që klubet të angazhohen në dekurajimin e tifozëve në dëshirën e tyre për t’u grumbulluar pranë stadiumeve. Ekipet gjermane prej 10 ditësh kanë nisur stërvitjet dhe deri më 9 Maj nuk do të jetë problem të rimarrin formën e duhur sportive.
Në Itali situata është krejtësisht e kundërt. Futbollistët, klubet dhe liga dëshirojnë të përfundojnë ndeshjet e paluajtura të sezonit, por çdo gjë frenohet nga autoritetet shtetërore. Ministri i Sportit, Vincenzo Spadafora, ka ndaluar gjithçka sa i përket zbritjes në fushë. Sipas tij sporti nuk është vetëm futbolli dhe futbolli nuk është vetëm Seria A.
Sëbashku me skuadrat autoritetet shëndetësore do të diskutojnë mbi një protokoll të detajuar, në mënyrë të veçantë për stërvitjet. Ministri i Sportit ka hedhur poshtë datën 4 Maj për të dalë në stërvitje. Me gjasë Serie A do të rikthehet ndoshta në javën e dytë të Qershorit apo edhe më vonë.
Tv Klan