Burg për Bajramin e Riformaton, nën hetim edhe zyrtarë e emra të njohur të krimit


Burg për Bajramin e Riformaton, nën hetim edhe zyrtarë e emra të njohur të krimit

10:45 13/05/2014 bajrami-riformatoGjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë “burg pa afat” për Sajmir Bajramin, i cili u kap teksa po transportonte 460 kg hashash  si dhe për Giorgio Riformaton, pilotin italian të avionit të rrëzuar në Divjakë, me të cilën u tentua të trafikohej droga në Itali.

35 –vjeçari ka pranuar akuzën e ngritur nga prokuroria e krimeve të rënda për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, si dhe bashkëpunimin me pilotin italian të avionit.

Por avokati mbrojtës i Bajramit tha se klientit të tij mund t’i jenë marrë deklaratat nën presion.

Ndërsa italiani 58 –vjeçar vijon të mohojë lidhjen me trafikun e drogës apo edhe njohjen me Sajmir Bajramin.

Edhe në Gjykatë ai mbajti të njëjtin qëndrim si në deklaratat e dhëna për prokurorët; se në Shqipëri gjendej për turizëm pasi drejtonte prej vitesh një agjenci udhëtimesh dhe se në Divjakë ishte ulur për shkak të problemeve që kishte patur avioni nga turbulencat ajrore.

Por Prokuroria e Krimeve të Rënda ka prova të pakontestueshme si për njohjen mes Riformatos dhe Bajramit ashtu edhe për bashkëpunimin e tyre në trafikun e drogës. Bëhet fjalë për pamje filmike e materiale të tjera. Krimet e Rënda kanë zgjeruar gjithashtu rrethin e hetimeve. Zyrtarisht mësohet se në hetim janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë drejtuesit e këtij trafiku. Por në këtë listë janë edhe zyrtarë të disa institucioneve të shtetit dhe emra të njohur të botës së krimit. E ndërsa në pranga ka përfunduar personi ku Bajrami ka blerë hashashin, një banor i Krujës, priten arrestime të tjera.

Tv Klan

 

 

 





Të ngjashme