Burg për personin që terrorizoi Dhërmiun

Foto: Lokali i natës ku ndodhi ngjarja

Burg për personin që terrorizoi Dhërmiun

13:30 11/07/2018

Emiljano Nina, që tmerroi pushuesit në Dhërmi duke qëlluar 4 herë me pistoletë në ajër është lënë në burg nga Gjykata e Vlorës. 23-vjeçari nga Tirana akuzohet për armëmbajtje pa leje, prishje të qetësisë publike dhe kanosje. Togat e zeza kanë vendosur që procesi të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e kamerave. Mësohet se Nina nuk ka folur gjatë leximit të akuzës nga prokuroria, duke bërë që seanca të zgjasë vetëm 20 minuta.

Pasi dëgjoi palët, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë duke e lënë në qeli të riun deri në përfundim të hetimeve. Emiljano Nina, sipas policisë, të shtunën në mbrëmje në një nga lokalet më të njohura të Dhermiut është konfliktuar më një person për motive të dobëta dhe të hershme me një person.

Ai ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar 4 herë në ajër dhe duke tmerruar pushuesit që ndodheshin aty. Pushues të shumtë, vendas dhe të huaj, të kapur në panik dhe për t’u shpëtuar plumbave janë larguar të tmerruar e me shpejtësi, duke shkelur mbi njëri-tjetrin.

Pamjet të cilat qarkulluan pas ngjarjes janë të tronditëse dhe të frikshme. Përveç plumbave të qëlluar dhe rrezikimit të jetës së qytetarëve kjo ngjarje ishte dhe një goditje e rëndë për turizmin shqiptarë, në pikun e tij.

Tv Klan






Të ngjashme