Burg për të arrestuarit e Rinasit
Pesë të ndaluarit për grabitjen e 1 milion eurove në pistën e aeroportit të Rinasit kanë dalë para gjykatës këtë të hënë. Me kërkesë të prokurorisë, togat e zeza vendosën të caktojë si masë shtrënguese për ata “arrestin me burg”. I pari që ka dalë para gjykatëses Enekeljda Hoxha ka qenw Kujtim Picari punonjësi i kompanisë “Nazeri 2000”.
Sipas prokurorisë ai ka shpërdoruar detyrën, duke qenë se ka futur në pistën makinën e blinduar pa shoferin dhe ka lënë dyert e saj hapur.
Kjo i ka dhënë mundësi grabitësve ta kenë më të lehtë punë. E njëjta masë është vendosur edhe për Vangjel Nikollën, me detyrë Drejtor i Shërbimeve aeroportuale në Rinas. Nikolla nuk ka bërë kontrolle të elementëve të sigurisë që ka marrë përsipër sipas kontratës, të nënshkruar me firma nënkontraktore ICTS Albania.
Ndërkohë gjyqtarja Enkeleida Hoxha është tërhequr nga gjykimi për Fadil Jonuzaj, Arben Karafilin dhe Bledar Blloshmin punonjës të ICTS. Gjyqtarja argumentoi se kishte një proces civil me avokatin e tyre mbrojtës Fatmir Brraka dhe për këtë arsye nuk mund të gjykonte. Masat për ta u gjykuan nga Nazmije Pengili. Të tre këta persona u lanë në burg . Ata nuk kanë patrulluar zonën ku ndodhi grabitja. /TV KLAN