Bushi: Nuk jam dënuar nga asnjë gjykate italiane. Kapllanaj: U dënova për dokumentat e makinës
Artur Bushi, Kryetari i Bashkisë së Krujës ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike, duke deklaruar se ajo vazhdon me shpifje të turpërta në inercinë e rrenave të përsëritura.
Bushi thotë se është ndaluar në Itali në vitin 1996 dhe është liruar në mënyrë të menjëhershme. Më pas është arrestuar në 2010 -ën dhe pas hetimeve 44 ditore është liruar si i pafajshëm.
Kryebashkiaku socialist nënvizon se në dëshminë e penalitetit të shtetit italian rezulton i padënuar, as edhe 1 ditë, me vendim gjykate. Bushi thotë se do të japë dorëheqjen nëse rezulton se ka gënjyer në formularin e dekrimalizmit, por nëse del i pafajshëm do të padisë PD -në deri në Strasburg për shpifje.
Ka reaguar edhe Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës i zgjedhur nga Partia Demokratike, Agron Kapllanaj. Ai thotë se në 95 -ën kishte blerë një makinë të përdorur në Firence të Italisë, por ishte mashtruar pasi dokumentat ishin të falsifikuara.
Thotë se për këtë është ndaluar nga policia, por megjithëse ka qëndruar edhe 5 vjet të tjera në Itali nuk ka pasur asnjë problem.
Kapllanaj thotë se vetëm në vitin 2015, kur diskutohej çështja e Dekrimanlizmit është interesuar në Itali për këtë çështje dhe ka zbuluar se është dënuar vitin 2003 me 2 vjet burgim të pezulluar, që nuk kryhet nëse nuk bën shkelje të tjera dhe me 200 euro gjobë.
Kapllanaj thotë se nuk është arrestuar apo burgosur asnjë ditë ndërsa shprehet i hapur për çdo vendim që do të marrin autoritetet për rastin e tij.
Tv Klan