Çako prezanton qendrën e koordinimit të masave për zgjedhjet e 25 qershorit
Policia e Shtetit ka organizuar një takim ku u bë prezantimi i grupit të drejtimit për menaxhimin e masave të sigurisë për procesin zgjedhor Qershor 2017.
Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako:
“
Këtu jemi në qendrën e koordinimit dhe të mbikëqyrjes të masave për procesin zgjedhor të datës 25 Qershor për në Kuvendin e Shqipërisë dhe sot gjej rastin të shpalos një sërë masash të Policisë në kuadër të Kodit Zgjedhor, të Kushtetutës dhe të udhëzimit të Kodit Zgjedhor të zgjedhjeve
Masat dhe angazhimi i Policisë ka qenë dhe mbetet i gjithanshëm qoftë i strukturave qendrore qoftë edhe i strukturave vendore, të cilat në bashkëveprim dhe në bashkërendim të ngushtë me të gjithë operatorët dhe faktorët e tjerë të cilët menaxhojnë dhe funksionojnë në terren për procesin zgjedhor janë të angazhuar gjatë gjithë kohës.
Falënderoj OSCE-në, për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë Policisë së Shtetit në zbatimin korrekt të detyrave dhe në ndjekjen rigoroze të të gjitha akteve normative që normojnë punën e Policisë së Shtetit, për të krijuar një ambient sa më të përshtatshëm të gjithë shtetasve shqiptarë për procesin zgjedhor”.
Zv.ministrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme Znj. Rovena Voda:
“Policia e Shtetit këto 4 vite është renditur në institucionet e para më të besueshme për qytetarët e këtij vendi, dhe vazhdon me përkushtim t’i shërbejë mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, përkushtim ky i shprehur sot dhe me hartimin e Librit të Xhepit për detyrat e Policisë në proceset zgjedhore.
E bindur se Policia e Shtetit do të vazhdojë të jetë gardiane e vlerave më të mira demokratike të shoqërisë sonë, uroj që ky dokument në formë kujtese për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit të shërbejë maksimalisht në kryerjen e detyrave të tyre gjatë proceseve zgjedhore”.
Zv/ ambsadori i OSCE në Shqipëri Z.Robert Wilton:
“Puna jonë e përbashkët në këtë fushë është veç një pjesë e partneritetit tonë të vazhdueshëm në fushën e sigurisë . Ne kemi sfida të përbashkëta shtetet pjesëmarrëse të OSCE-së, edhe Shqipëria si shtet pjesëmarrës i plotë . Natyrisht kemi edhe standarte të përbashkëta për mirëfunksionimin e sigurisë në demokraci edhe prandaj kemi veprime, reagime dhe qëndrime të përbashkëta .
Jam i nderuar që jam këtu sot të jap vëmendjen time në këtë trajnim të Policisë, optimist që Policia e Shtetit do të mbajë një rol profesional dhe të paanshëm në këtë proces gjatë fushatës edhe gjatë ditës së zgjedhjeve edhe nderohemi si OSBE që kemi mundësinë të vazhdojmë në këtë partneritet profesional. Ju uroj sukses në detyrën tuaj tepër të rëndësishme”.
Drejtori i Departamentit të Sigurisë Drejtues i Lartë Altin Qato:
“Qëllimi i ndërtimit të një grupi të tillë është që të vlerësohet çdo informacion nga të gjithë burimet, të verifikohet dhe analizohet në kohë reale, të gjenden zgjidhjet ligjore, si dhe të jepen sqarimet përkatëse kur këto informacione nuk janë të vërteta.
Policia e Shtetit është e gatshme për ushtrimin e përgjegjësive të saj edhe në këtë drejtim, për realizimin e bashkëpunimit dhe të mbështetjes së organeve të qeverisjes vendore për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore”./
tvklan.al