Cameron përballë krerëve të BE: Më vjen keq për rezultatin e referendumit


Cameron përballë krerëve të BE: Më vjen keq për rezultatin e referendumit

14:18 29/06/2016

Samiti i fundit europian i 28 liderëve europianë nuk ka qenë i lehtë për Kryeministrin britanik, David Cameron, i cili në sytë e 27 liderëve të tjerë europianë është treguar i papërgjegjshëm, duke e angazhuar popullin britanik në një rrugë që do ta nxjerrë nga Bashkimi Europian.

David Cameron – Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar: 

“Më vjen keq për rezultatin e referendumit, por nuk pendohem që e bëra. Ishte gjëja e duhur për të bërë. Por në fund të fundit, ti lufton për atë që beson. Nëse fiton shumë mirë, nëse humb, duhet të pranosh verdiktin”.

Ajo që David Cameron u ka kërkuar 27 liderëve të Bashkimit Europian është një reformë e rregullave të lëvizjes së lirë të personave në Evropë, si kyçe për marrëdhëniet post-Brexit mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian. Por të 27 nuk e shohin aspak kështu.

Donald Tusk – Presidenti i Këshillit Europian: 

“Është e vërtetë që një pjesë e votuesve është shprehur mbi politikën e emigracionit dhe migrimit të brendshëm brenda BE-së, por çfarë do ishte Bashkimi Europian pa tregun unik, pa lirinë e qarkullimit të personave dhe pa Shengen?”

Jean – Claude Juncker – Presidenti i KE -së: 

“Kur flitet për tregun unik, ose je brenda, ose je jashtë. Kur je jashtë je jashtë dhe do të rinegociosh aksesin në tregun unik siç e kanë negociuar zvicerianët, norvegjezët dhe të tjerë. Nuk ka automatizëm për një ish-shteti anëtar të ruajë përfitimet e tregut unik kur del nga Bashkimi Europian”.

Presidenti i Komisionit Europian Jean – Claude Juncker ka deklaruar në konferencën e shtypit përfundimtare, se kryeministri britanik kërkon kohë për meditim, por Bashkimi Europian nuk ka kohë për meditim dhe se qeveria britanike duhet të dërgojë sa më parë njoftimin e daljes nga Bashkimi Europian për të filluar negociatat e daljes.

Tv Klan






Të ngjashme