Trump premtoi ekstradimin e Gulenit?
Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e ekstradimit të klerikut Fetullah Gulen drejt Turqisë. Këtë e pohon ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, i cili thotë se premtimin Ankarasë, ia ka bërë vetë Presidenti amerikan Donald Trump.
“Ky njeri dhe të tjerë anëtarë të kësaj organizate – janë 84 emra – duhet të ekstradohen në Turqi. U kemi dërguar kërkesë autoriteteve amerikane. Herën e fundit kur u takuam në Buenos Aires, Presidenti Trump i tha Erdoganit se po punojnë për çështjen e ekstradimit.”
Kryediplomati turk pohoi se FBI ka nisur hetimet për rrjetin e Gulenit në Shtetet e Bashkuara, pasi ka dyshime se ata janë të përfshirë në afera korruptive e evazion fiskal. Megjithatë shefi i Shtëpisë së Bardhë është shprehur qartë muajin e kaluar se nuk ishte duke shqyrtuar ekstradimin e Gulenit drejt Turqisë.
Ankaraja e akuzon klerikun se me ndihmën e grupeve të financuara prej tij, organizoi grushtin e dështuar të shtetit të korrikut 2016. Vetë Gulen e ka mohuar përfshirjen dhe kjo besohet edhe nga perëndimi. Mospranimi për të ekstraduar klerikun 77-vjeçar është një nga shkaqet e ftohjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë vitet e fundit.
Tv Klan