Çdo të bëhet me bonot e privatizimit? Abuzimi me letrat me vlerë – (29 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
“Anglo-Adriatika”, i vetmi subjekt privat i licencuar nga shteti shqiptar për mbledhjen e letrave me vlerë është larguar nga Shqipëria. Zyrat e saj, dikur në ambientet e hotel Rognerit, tani nuk janë më prezente në Shqipëri. Sipas burimeve pranë këtij fondi, zyrat e “Anglo-Adriatikas”, janë vendosur tani në Bullgari.
I licencuar nga shteti shqiptar që në vitin 1996, “Anglo-Adriatika”, ka mbledhur letrat me vlerë të 45 mijë shqiptarëve, ku shumica janë pensionist. Synimi i saj ka qenë privatizimi dhe pjesëmarrja si aksioner në objekte strategjike, si aeroporte, hidrocentrale, AMC etj. Por ka më se 5 vjet, që njerëzit kanë dhënë letrat me vlerë në këtë subjekt dhe nuk po e shohin veten aksioner.
Burime pranë “Anglo-Adriatikas” thonë, se bonot e privatizimit të mbledhura nga ky fond, tani janë në thesarin e Bankës së Kursimeve. Në Shqipëri ekzistojnë dhe njërës të pa licencuar që mbledhin bono privatizimi. Zëvendës ministri i Ekonomisë dhe Privatizimit Pajtim Bello thotë:
Pajtim Bello:- “Në Shqipëri, në tregun e letrave me vlerë ka edhe abuzime. Ato janë mbledhur nga persona të ndryshëm, që s’kanë asnjë lloj licence, asnjë lloj garancie, kanë mbledhur sasi të mëdha, dhe ato presin një rast, që t’i përdorin ato letra për t’u bërë aksioner”.
Por çdo të bëhet me bonot e privatizimit? Deri tani janë shpërndarë bono privatizimi, të cilat kapin vlerën e 62 miliard lekëve. Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Privatizimit, do të hidhet në treg dhe paketa e fundit pasi shifra e parashikuar e letrave me vlerë është 92 miliard lekë. Gjatë 6 viteve të kaluara privatizimi me letra me vlerë nuk ka pasur suksesin e pritur dhe njerëzit nuk e dinë akoma se kur do të marrë realisht vlerë letra e tyre me vlerë./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori