Çela:Ndihma për fëmijët, punësim për gratë e familjeve të ngujuara
Në kuadër të festave të fundvitit, OSHEE po vijon mbështetjen disa qendra sociale në rang vendi, pjesë e strategjisë së kompanisë për të ndihmuar shtresat në nevojë.
Pas Vlorës dhe Sarandës, Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela u ndal sot në qytetin e Shkodrës, për realizimin e aktivitetit “Dhurojmë pak buzëqeshje fëmijëve të ngujuar në këtë fundviti”, në bashkëpunim me fondacionin “Fjala”.
Për 30 fëmijë të ngujuar, nga mosha 4-18 vjeç dhe familjet e tyre, OSHEE shpërndau pako me mjete mësimore, dhurata dhe ushqime, veshmbathje, etj.
“Gjakmarrja është një fenomen dhe një plagë ende e pashërueshme për shoqërinë shqiptare me pasoja sociale të jashtëzakonshme, me kosto të lartë morale, psikologjike dhe financiare. Fatkeqësisht, “viktima” të këtij fenomeni janë edhe fëmijët. Atyre u ka munguar shkollimi, shoqërizimi me moshatarët, lojërat me ta, ndërveprimi social, etj
Me qëllim sensibilizimin e shoqërisë shqiptare për këtë plagë që fatkeqësisht është akoma evidente edhe sot, në kuadrin e festave të fundvitit, kompania OSHEE po u vjen në ndihmë kësaj kategorie”, deklaroi kreu i OSHEE-së.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, prej më shumë se një viti është duke punuar me grupet e interesit të kësaj kategorie, për të identifikuar familjet me gjakmarrje, debitorë ndaj kompanisë, dhe ndihmuar ata në gjetjen e paketave sa më lehtësuese në pagesën e faturave dhe mbështetje të veçantë për një shërbim sa më cilësor.
“Kompania OSHEE është treguar e gatshme për të punësuar gratë e familjeve të ngujuara. Edhe pse nuk është lehtë, kemi 5 raste punësimi, dhe jemi duke punuar ende”, tha Çela, duke shtuar në fund se, “OSHEE do të mbështesë financiarisht projektin e botimit të një libri-strategji, për familjet e ngujuara, ide e mësueses Liljana Luani, e cila për vite me radhë u jep mësim këtyre fëmijëve./tvklan.al