Ceremonia e rifillimit të punimeve të hotel Sheraton – (25 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Shërbimi hotelier Sheraton, do të jetë i pranishëm edhe në Shqipëri. Projekti i nisur nga MAC Albania, për një hotel luksoz me pesë yje në qendër të Tiranës, do të realizohet në një kohë rekord prej 24 muajsh. Në fjalën e hapjes drejtori i Al-Karaf Group për Shqipërinë, zoti Adel El Nagar, bëri prezantimin e kompanisë së shërbimeve hoteliere Sheraton, e cila do të jetë menaxhuese e këtij hoteli.
Ky hotel Sheraton, do të jetë me pesë yje dhe do të lidhet me sistemin ndërkombëtar të rezervimit. Më pas zoti Sherif Bundo, kryetari i komitetit shqiptar të turizmit, theksoi se kjo është një ngjarje e rëndësishme për dy aspekte, e para për rifillimin e punës për këtë hotel, pas një ndërprerje prej 5 vjetësh dhe e dyta për hyrjen e kompanisë së fuqishme Sheraton edhe në Shqipëri.
Gjithashtu në ceremoni ishte i pranishëm edhe zv/presidenti i shërbimit hotelier Sheraton, i cili në fjalën e tij falënderoi presidentin shqiptar Mejdani për prezencën e tij, si edhe të ftuarit e tjerë të pranishëm, më pas i ftoi të shikonin maketin e këtij projekti luksoz, i pari hotel me pesë yje në Shqipëri./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora