“Çështja çame”, Athina reagon pas deklaratave të Komisionerit Hahn
Ministria e Jashtme greke ka reaguar ashpër pas deklaratave të Komisionerit Europian, Johanes Hahn që përmendi togfjalëshin “çështje çame” duke folur për marrëdhëniet Athinë – Tiranë.
Athina zyrtare e cilësoi si të papranueshme qëndrimin dhe shtoi se problemi çam nuk ekziston dhe se asnjëherë nuk ka qenë objekt negociatash midis dy qeverive.
“Përgjigjja e Komisionerit Hahn ndaj pyetjes së Eurodeputetes greke Maria Spiraki është e pavërtetë dhe e papranueshme”,
thuhet që në fillim të deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke.
Deklarata e Ministrisë së Jashtme greke sulmon drejtëpërdrejt Komisionerin Hahn, duke theksuar se
“me përgjigjen e pavërtetë të tij, ai tregon se nuk e ushtron rolin dhe detyrat e tij në bazë të parimit të paanshmërisë, me qëllim që të promovojë inbteresin e përbashkët të Unionit, siç parashikohet nga neni 17 i Konventës së Lisbonës”.
Ndaj Komisionerit Hahn ka reaguar edhe vetë Eurodeputetja greke Maria Spiraki, që gjithashtu e cilësoi si të pavërtetë këndvështrimin e zyrtarit të lartë të europian.
Komisioneri Hahn tha se
“Komisioni Europian përshëndet faktin se të dy vendet po shqyrtojnë krijimin e një mekanizmi të përbashkët për zgjidhjen e problemeve dypalëshe, ndër to të drejtat e njerëzve që u përkasin minoriteteve dhe çështja çame”.
Kjo e fundit shkaktoi reagimin e fuqishëm të Athinës zyrtare.
Tv Klan