Çështja e emigrantëve, Avramopulos thërret ministrat ballkanas
Komisioneri për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Qytetarinë, Dimitris Avramopoulos do të mbledhë 6 ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor për një takim në Komisionin Europian në 19 Qershor.
Ky takim do të fokusohet mbi zhvillimet e fundit në fushën e migracionit, bashkëpunimin midis Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me menaxhimin e kufijve dhe sigurinë në rajon.
Kjo është konfirmuar nga kryezëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas.
“Komisioneri Avramopolos do të organizojë nesër një takim me 6 ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian në godinën e Komisionit Europian në prezencë të presidencës bullgare, presidencës së ardhme austriake, drejtorit ekzekutiv të Agjensisë Europiane të Kufijve dhe rojeve bregdetare si dhe komisionerit King. Pjesëmarrësit do të diskutojnë zhvillimet e fundit migratore, bashkëpunimin për menaxhimin e kufijve, politikën e migracionit dhe të sigurisë, si dhe strategjinë për Ballkanin në kuadrin e përgatitjes së takimit BE-Ballkan në fushën e punëve të brendshme në tetor.”
Në strategjinë e Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor të aprovuar në 6 Shkurt të këtij viti, bashkëpunimi i BE-së me vendet e Ballkanit në fushën e migracionit dhe të sigurisë renditet si një shtyllë kryesore e përafrimit të mëtejshëm të rajonit me BE-në. Komisioneri Avramopoulos ka deklaruar se në përfundim të takimit me 6 ministrat e brendshëm të Ballkanit Perëndimor, do të organizojë një konferencë shtypi.
Tv Klan