Çështja “Kinostudio” (3 Shkurt 1999)


Çështja “Kinostudio” (3 Shkurt 1999)

09:15 03/02/1999

Peticion drejtuar pesë Ministrive së bashku me kreun e shtetit e të qeverisë nga punonjësit e “Alba Film Studios”, anëtare të sindikatës të cilët kërkojnë një zgjidhje të drejtë për ecurinë e këtij institucioni të rëndësishëm. Dy vitet e fundit institucionin e kanë vënë përballë asgjesimit pjesë pjesë. Sipas tyre ligji për kinematografine e ka shndërruar “Alba Film Studion” në një shoqëri tregtare aksionere.

Kinostudio ka nisur punën e saj në vitin 1952, fillimisht me kronika, dokumentarë dhe pastaj me filma artistike. Ditët e fundit shkurtohen 41 punonjës. Disa ambiente përfshirë dhe studion e zërit janë marrë me qira nga firma “2K” e cila do të ngrejë televizion.

Ndërsa Ministri Rama sqaron se nuk ka mundësi për kthim mbrapa dhe se e mira e përbashkët e filmit shqiptar e bën të domosdoshme reformën që sapo ka filluar, pavarësisht nga dhimbjet që ajo mund të sjellë për individë të caktuar. Vërtet disa ambiente pune i ka marrë “2K” por nuk dimë sesa do t’i shërbejnë punonjësit e kësaj Kinostudioje firmës “2K”.

Rreth kësaj çeshtje, kryetari i sindikatës shprehet: “Aktualisht ne kërkojmë vetëm kaq, që të mos shkelet mbi ndjenjat kombëtare dhe mbi këtë pasuri të pashoqe dhe të pazëvëndësueshme. Ne duam që ky të marrë statusin e institucionit të rëndësisë së veçantë, të mbrohet dhe subvencionohet nga shteti. Pastaj marrëdhëniet me të tretët le të rregullohen nëpërmjet shtetit, nëpërmjet ligjeve, nëpërmjet amendamenteve të caktuara. Por baza numër një e këtij institucioni duhet të jetë mbrojtje dhe subvencionim i përjetshëm shtetëror.”

Gazetare: Holta Zhiti






Të ngjashme