Çfarë do të diskutojë BE më 13 Dhjetor për Shqipërinë


Çfarë do të diskutojë BE më 13 Dhjetor për Shqipërinë

17:40 09/12/2016

Zbatimi i Reformës në Drejtësi, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, Reforma Zgjedhore, dialogu qeveri-opozitë dhe një qasje konstruktive në politikën rajonale

janë kriteret e Brukselit për avancimin e mëtejshëm të Shqippërisë në rrugën e integrimit. Kjo shihet edhe në një draft të hartuar nga ambasadorët e përhershëm të BE-së që do të diskutohet nga ministrat e Jashtëm të Unionit, që mblidhen në 13 Dhjetor në Bruksel. Në dokumentin që Televizioni Klan ka mundur të shohë, vihet theksi fillimisht të zbatimi i Vetting -ut.

“Këshilli i ministrave të BE-së i kërkon Shqipërisë zbatimin e Reformës së Drejtësisë për rritjen e profesionalizmit, pavarësisë dhe efiçencës së këtij sistemi, përfshirë gjykatat dhe ligjin e vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve. Vlerësohet drejtimi pozitiv për krijimin e një gjurmë provash në hetimet, ndjekjet dhe dënimet përfundimtare, por kërkohen rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.

Këshilli i kërkon Shqipërisë të intensifikojë përpjekjet dhe arritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe të sigurohen arritje në shkatërrimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe të trajtohen problemet e prodhimit dhe trafikut të drogës.

 “Për Këshillin, numri i ulët i dënimeve për raste e krimit të organizuar, përfshirë rastet e pastrimit të parave dhe trafikut të qenieve njerëzore mbetet një çështje për t’u trajtuar përmes masave si bashkëpunimi i zyrës së prokurorisë dhe policisë së shtetit.

Brukseli sheh progres në luftën kundër ekstremizmit. Ai kërkon forcim të masave për respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, si dhe zbatimin e plotë të ligjit të pronave ku duhet të trajtohen boshllëqet ligjore. Në draft thuhet se Këshilli mirëpret miratimin e ligjit të Dekriminalizimit.

Sipas Brukselit, Shqipëria duhet të përforcojë përpjekjet për të luftuar ekonominë informale. Në draft thuhet se dialogu mes qeverisë dhe opozitës mbetet kyç për avancimin e vendit. Një rëndësi të veçantë për BE ka gjithashtu finalizimi i Reformës Elektorale për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODHIR mjaftueshëm para zgjedhjeve parlamentare, në mënyrë që të sigurohen zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare.

Sa i përket politikës rajonale kërkohet evitimi i aksioneve apo deklaratave që ndikojne negativisht ne marrëdhëniet bilaterale.

Tv Klan






Të ngjashme