
Çfarë përfaqësonte për modën Karl Lagerfeld (Video)
Ditën e martë, bota e modës humbi njërin prej emrave më të mëdhenj të saj. Karl Lagerfeld ndërroi jetë në Paris në moshën 85-vjeçare, gjë që i zhyti në zi adhuruesit e stilistit të madh gjerman, drejtor kreativ historik i “Chanel”-it dhe “Fendi”-t dhe një prej figurave më të famshme të kësaj industrie.
Stilisti ikonë nuk ndihej mirë prej disa javësh dhe kishte munguar, si rrallë ndonjëherë, në disa spektakle të rëndësishme mode. Lagerfeld kishte krijuar një “look” të tijin origjinal vitet e fundit, duke u shfaqur në publik gjithmonë me kostume të errëta, syze dhe flokët e kapur bisht.
Dhe për të folur lidhur me rolin e tij në botën e modës ishin të ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, Marcela Lati dhe gazetarja Xhoia Dumi.
“Ai ka qenë ikonë dhe vërtetë bota e modës humbi një ikonë. Si çdo gjë që ka një përshkallëzim, ai ka qenë maja. Ai ka qenë i jashtëzakonshëm dhe vetëm krijonte. Ai nxirrte 8 koleksione në vit për “Chanel”. Punonte për pasion dhe kur e pyesnin se si ia dilte të krijonte 8 koleksione në vit, përgjigjej duke thënë se krijimi për të ishte njëlloj si të merrte frymë”
, tha Lati.
“Ajo që të bënte përshtypje tek ai ishte përzgjedhja e modeleve që do të vishnin krijimet e tij. Ai ka zgjedhur gra që e ndryshonin termin tipik të bukurisë në industrinë e modës dhe kjo e bëri edhe më të njohur”,
tha Dumi.
/tvklan.al