Çfarë po paralajmëron Trump? “Bisedimet me Korenë Veriore nuk janë opsion”


Çfarë po paralajmëron Trump? “Bisedimet me Korenë Veriore nuk janë opsion”

17:59 30/08/2017

Manovrat e fundit ushtarake të Koresë së Veriut kanë nxitur reagimin e Presidentit amerikan Donald Trump.

Në një postim në rrjetin social Twitter, Trump tha se Uashingtoni po paguan “paratë e zhvatura” nga Peniani për më shumë se dy dekada.

Sipas presidentit amerikan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë vazhdimisht në bisedime me shtetin komunist të Koresë së Veriut. Megjithatë, bisedimet duket se nuk janë më opsion.

“Bisedimet nuk janë përgjigje”,

ka shkruar Donald Trump, duke nënkuptuar se me diplomaci tashmë nuk zgjidhet asgjë me Korenë e Veriut.

Kjo deklaratë e Trump vjen dy ditë pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, që tha se

“të gjitha opsionet janë në tavolinë”

në lidhje me tensionet në Azinë Lindore.

Mbrëmjen e së hënës, Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike që kaloi mbi Japoni. SHBA është bashkuar me Korenë e Jugut dhe Japoninë të cilat pretendojnë se po përballen me një kërcënim të rëndë nga shteti komunist. Ndërsa vendet e tjera të OKB-së, si Gjermania, Rusia dhe Kina kanë nxitur një zgjidhje diplomatike. Moska dhe Pekini këmbëngulin që të gjitha palët duhet të ulen në bisedime për të zgjidhur krizën koreane, që tashmë mbështetet edhe nga Berlini.

Për momentin është propozuar një “ngrirje e dyfishtë” për të qetësuar tensionet në gadishullin korean. Sipas propozimit, kërkohet që SHBA-ja dhe Koreja e Jugut të ndalin stërvitjet e përbashkëta ushtarake në rajon, kurse Koreja e Veriut të ndalojë lëshimin dhe testimin e raketave. Departamenti Amerikan i Shtetit ka refuzuar me forcë propozimin e “ngrirjes së dyfishtë”, duke hedhur poshtë idenë e ndalimit të stërvitjes së përbashkët me Korenë e Jugut./

tvklan.al






Të ngjashme