Challandes nuk pajtohet me penalltinë
Trajneri i Kosovës, Bernard Shalond nuk është dakord me penalltinë që iu akordua Suedisë. Sipas teknikut zviceran, nordikët luajtën më mirë, e megjithatë, ai gjykon se 11 metërshi nuk duhej që të jepej.
“Keni të drejtë kur thoni që kemi luajtur me një kundërshtar të fortë, por nuk pajtohem me penalltinë. Është një shaka. Nga koka te dora nuk është penallti. Madje mund të jetë edhe faull ndaj Hadërgjonajt para se te ishte penallti. Duhet ta pranojmë që Suedia ishte më e mirë. Ekipi provoi, por ishte shumë e vështirë.”
Tekniku u shpreh se nëse “Dardanët” do të kishin shënuar, në fillimin e pjesës së dytë, atëherë do të ishte një ndeshje tjetër për ta.
Por Shalond mendon për dy takimet e ngelura në këto kualifikuese. Ai nuk e shikon si të pamundur vendin e tretë. Por Kosova duhet të fitojë ndaj Gjeorgjisë në Prishtinë, e më pas në transfertë kundër Greqisë.
Klan News