Champions, Kukësi humbet me Sheriff Tiraspol
Kukësi debutoi me humbje në Champions League. Ekipi kampion i Shqipërisë u mund 1 – 0 në fushën e Sheriff Tiraspol nga një 11-metërsh në minutat e fundit.
Një përballje e vështirë për ekipin e Ernest Gjokës që mendoi më shumë për mbrojtjen, por duhet të falenderojnë Koliqin, i cili me pritjet e tij shmangu gola të tjetër.
Lojtarët e skuadrës moldave u shfaqën kërkues që në minutat e para, por portieri i Kukësit i la të prisnin gjatë. Futbollistët e Kukësit edhe pse u përpoqën të rrezikonin patën pak mundësi për të shënuar. Goli që vendosi gjithçka në këtë takim u realizua në minutën e 79’. Serran preku topin me dorë brenda zonës, Badibanga i futur në lojë gjatë pjesës së dytë nuk gaboi, duke mposhtur Koliqin. Ra në sy përplasja mes lojtarëve vendas për ekzekutimin e 11-metërshit.
Pas pësimit të golit kampionët e Shqipërisë iu afruan golit të barazimit me Kariokën i cili goditi shtyllën. Ndeshja e kthimit do të luhet 19 korrik në Elbasan me Kukësin që ka ende shpresë për të kaluar në turin e tretë të Champions League.